G7 liron 100 milionë fuçi për të frenuar rritjen e çmimit të karburanteve

2 October 2026, 20:23Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

G7 liron 100 milionë fuçi për të frenuar rritjen e

Udhëheqësit e G7-ës kanë rënë dakord për një paketë të koordinuar masash për stabilizimin e tregjeve të energjisë, përfshirë lirimin e 100 milionë fuçive nga rezervat, ndërsa rritja e çmimeve të naftës dhe veçanërisht e dizelit po shton presionin mbi familjet dhe bizneset.

Marrëveshja parashikon që rezervat të hidhen në treg gjatë katër muajve, nën koordinimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), me një sasi të konsiderueshme dizeli që do të lirohet gjatë 20 ditëve të para.

“Përballë paqëndrueshmërisë së paprecedentë në tregjet e naftës, me rritjen e çmimeve që kërcënon stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, kemi rënë dakord për masa vendimtare dhe të koordinuara”, thanë udhëheqësit e G7-ës në deklaratën e përbashkët.

Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara do të koordinojnë gjithashtu programet e mirëmbajtjes së rafinerive, për të shmangur mbylljen njëkohësisht të kapaciteteve dhe për të rritur përkohësisht prodhimin aty ku është e mundur.

G7 u angazhua gjithashtu të mos vendosë kufizime mbi eksportet e energjisë dhe produkteve energjetike ndërmjet vendeve anëtare, duke shmangur kështu edhe mundësinë e një ndalimi amerikan të eksporteve të dizelit drejt aleatëve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti vendimin.

“Qytetarët tanë kanë nevojë dhe meritojnë energji me çmime të përballueshme”, tha ajo. “Mirëpresim vendimin e vendeve të G7 për të mos vendosur ndalime të eksporteve ndaj aleatëve dhe solidaritetin e vazhdueshëm mes partnerëve”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendet e G7-ës kishin vendosur “të punojnë në mënyrë të koordinuar për të ndihmuar në uljen e çmimeve të produkteve të naftës, veçanërisht të dizelit”.

Sipas Macron, masat përfshijnë rritjen e fleksibilitetit të prodhimit për të shfrytëzuar në maksimum kapacitetet e rafinerive, lirimin e rezervave strategjike dhe shmangien e kufizimeve mbi tregtinë e produkteve energjetike mes vendeve partnere.

Në deklaratën e përbashkët, G7-ta dënoi gjithashtu sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje dhe ndërprerjen e tregtisë ndërkombëtare, duke kërkuar rivendosjen e plotë dhe të menjëhershme të të drejtave të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Grupi konfirmoi njëkohësisht se do të mbajë sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa do të bashkëpunojë me IEA-n dhe partnerët ndërkombëtarë për të kufizuar pasojat në tregjet e karburanteve, gazit dhe mallrave të tjera.


Video