Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë mbrëmje fjalimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku fokus ishte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, përdorimi i saj në Shqipëri dhe ndikimi që teknologjia mund të ketë në jetën dhe sigurinë e vendeve.
Por, Kosova kishte një pritshëmri të lartë, ku priti që Rama të fliste më shumë rreth gjyqit në Hagë, ku katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burg në total.
Kjo u vërtetua, nga titujt dhe lajmet e publikuara sot nga mediat kryesore në Prishtinë.
“Rama mban sot fjalim në AP të OKB-së: A do të flasë për UÇK-në?”, ky ishte titulli i Klan Kosova.
“Me kërshëri pritet nëse në fjalën e tij kryeministri do të përfshijë edhe çështjen e liderëve të UÇK-së” – shkruan Telegrafi.
“Kosova pa zë në OKB, Rama flet për inteligjencën artificiale”, ky është titulli i Koha.net.
“Edi Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, ky është titulli i “Kosovapress”.
Në shkrimet e tyre mediat, kritikojnë kryeministrin për faktin se nuk foli mjaftueshëm në lidhje me rastin e UÇK-së, i cili ka ngjallur protesta në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Në asnjë rast të vetëm Kosova nuk është përmendur në fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten. Për rreth 20 minuta Rama ka folur për inteligjencën artificiale, rreziqet nga ajo dhe ka bërë thirrje për marrëveshje ndërkombëtare për “AI sovrane dhe demokratike” – thuhet në shkrimin e Koha.net.
Nga ana tjetër, “Kosovapress” shkruan se Rama, nuk e ka përmendur fare dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka përmendur fare dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Fjala e Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u përqendrua tek inteligjenca artificiale, ku e përmendi edhe ‘’ministren Diella’’, por jo edhe dënimin ndaj krerëve të UÇK-së”, shkruan “Kosovapress”.
Në një aktivitet të mëhershëm Rama akuzoi Joe Biden dhe SHBA-të se e tradhtuan Hashim Thaçin. Në fund ishte dhe vetë ai që e braktisi “komandantin” duke mos e përmendur në një nga aulat më të rëndësishme të botës.