
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, duke theksuar se synohet të mbyllet ajo që e cilësoi si një “zonë gri” mes personit në dijeni dhe të dyshuarit.
Rama tha se çdo person do të ketë të drejtën të thirret me avokat, ndërsa marrja në pyetje do të regjistrohet detyrimisht me zë dhe figurë. Sipas tij, deklarimet e marra përmes torturës, trajtimit çnjerëzor apo presionit do të konsiderohen të papërdorshme.
Rama: Ndryshimi i tretë mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni, dhe të trajtohet si i dyshuar: pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret do ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për tu thirrur me avokat. Marrja në pyetje do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë. Për herë të parë shkruhet se deklarimet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo sjellje degraduese ndaj personit janë të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta kërkojë me dhunë apo presion verbal.