Von der Leyen njofton shpërndarjen e 100 milionë eurove për Shqipërinë, vitin tjetër hiqet "roaming" me BE-në

13 Tetor 2025, 15:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama dhe Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot theksoi progresin "jashtëzakonisht të shpejtë" të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane dhe për këtë arsye njoftoi disbursimin e 100 milionë eurove nga Plani i Rritjes.

"Ju me të vërtetë keni bërë përparim të fortë në reformat kyçe. Falë kësaj, jam e kënaqur të njoftoj disbursimin e 100 milionë eurove. Tani bëhet fjalë për zbatimin dhe e di që jeni në rrugën e duhur, kjo është rruga që Shqipëria të ketë akses në të gjitha fondet sipas Planit të Rritjes, që është afër një miliardi", tha ajo në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

Ajo tha se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor siguron akses në tregun e vetëm dhe sjell investime të reja të BE-së, në këmbim të reformave kyçe.

Ajo njoftoi gjithashtu se roaming midis Shqipërisë dhe BE-së do të hiqet vitin e ardhshëm, duke thënë se do të jetë mirë për biznesin, turizmin dhe afrimin e njerëzve.

Duke komentuar mbi SEPA-n, ajo tha se që nga java e kaluar, transfertat e parave midis Shqipërisë dhe BE-së kanë qenë më të sigurta dhe më të lira, gjë që ajo e theksoi si një avantazh të madh për qytetarët dhe kompanitë.

"Mesazhi është shumë i qartë - Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Dua të theksoj se në tre-katër vitet e fundit ka pasur një rritje të habitshme dhe të jashtëzakonshme të shpejtësisë së progresit", shtoi ajo, duke njoftuar hapjen e një klasteri me Shqipërinë këtë vjeshtë.

"Momenti gjeopolitik është tani. Agresioni rus kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë, çdo vend evropian duhet të zgjedhë vendin e tij dhe Shqipëria e ka bërë qartë zgjedhjen e saj", shtoi ajo.


Video