Qeveria italiane ka vendosur që t'i përdorë qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit, në Shqipëri, për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.
Pas gati një muaj njoftime, plani i ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi është tashmë para Këshillit të Ministrave.
Kryeministrja Giorgia Meloni po përpiqet të rifillojë projektin e saj pas ngërçit në gjykata.
Dhe këtë e bën duke vendosur të transferojë në Shqipëri ata që janë në pritje të urdhrave të dëbimit sepse tashmë u është mohuar e drejta për azil.
Tani, pra, në objekte do të përfundojnë edhe emigrantët që nuk vijnë nga vende të sigurta.
Dekreti do të modifikojë ligjin për zbatimin e protokollit Itali-Shqipëri të firmosur nga Giorgia Meloni me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në Romë.
Siç raportojnë mediat italiane, me këtë vendim, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.
Emigrantët e paligjshëm, të ndaluar në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Romë, do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar në vendet e origjinës.
Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50% e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë./Open