Ishte koinçidencë që kryeparlamentarja Spiropali fjalimin e parë publik e mbajti për një çështje, në dukje historike a periferike, të internuarit nga diktatura komuniste në kampin e Porto Palermos.
E ftuar në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër, nga kamp, në përkujtim”, organizuar nga Autoriteti i Dosjeve, në Ditën e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit, Spiropali e shfrytëzoi këtë mundësi për të parashtruar idetë e saj mbi integrimin, bashkëjetesën politike dhe kohezionin social në Shqipëri.
Duke analizuar me vëmendje fjalën e kryeparlamentares në prani të një audience ish të përndjekurish politikë, kuptohet se ajo foli për t’u dëgjuar përtej këtij grupimi shoqëror dhe politik. Dhe ia arriti qëllimit.
1. Universalizimi i persekutimit prej të gjithë regjimeve jodemokratike apo parademokratike
Spiropali “theu” kufijtë e të përndjekurve nga komunizmi, duke “bashkuar” tre kategori të përndjekurish, nga regjimi i Zogut, regjimi i pushtuesve nazi-fashistë dhe regjimi i Enver Hoxhës.
Madje, me zgjuarsi, gjeti një figurë emblematike të Bregut, të internuar e dënuar prej tre regjimeve, Petro Markon.
“Kundërshtar i çdo regjimi, shpirt i lirë dhe ushtar i lirisë, Petro Marko, përpara se të mbyllej në internim në ishullin italian të Ustikës, u internua në atdheun e vet, në fshatin e tij. Përndjekja që preku Petro Markon, shenjoi në mënyrë të njëjtë, si të burgosur edhe komunistët në fillim kur luftonin për çlirimin e vendit, edhe antikomunistët më pas që dëshironin një Shqipëri me fytyrë nga perëndimi.”
Duke rikujtuar me dhembje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kalajsë së Porto Palermos, nënvizoi se “Viktimat e regjimit totalitar meritojnë gjithë nderimin e respektin e shoqërisë e të brezave. Por edhe patriotët e luftëtarët antifashistë, që kishin filluar të organizoheshin kundër pushtuesve, do të provonin të njëjtin fat, edhe në kampet e tjera të internimit, në Shqipëri dhe Itali.”
Duke zgjeruar konceptin dhe kategoritë e të përndjekurve, bën thirrje për pajtim, “duke ia lënë ndëshkimin jo urrejtjes e hakmarrjes, por gjykimit të historisë dhe institucioneve demokratike.”
2. Ish i pronarëve do të dalë nga qarkullimi, ish i të përndjekurve do të mbetet!
Nëpërmjet paraleles për dy nga grupet shoqërore më të goditura prej komunizmit: ish të persekutuarit dhe ish pronarët, gjeti rastin të ekspozojë, krahas vëmendjes së qeverive Rama ndaj tyre, edhe një dallim që pakkujt i shkon në mendje.
“Qëllimi ynë është që sa më shumë t’u rikthehen këto të drejta pronarëve, aq më shumë do tua heqim atë damkën e të qenurit “ish”, që ka qenë një gjyle e rëndë në politikat për drejtësi sociale, sidomos ato të pronësisë.”
E shqiptuar kjo sot dhe, për më tepër, e deklaruar në territorin e Bashkisë së Himarës, merr një domethënie të madhe.
“Sa më shumë të riintegrohen ish të persekutuarit në jetën dhe shoqërinë demokratike, aq më shumë termi ISH do të mbetet një shenjë e të kaluarës totalitare, një referencë e historisë.
Cilësorin ISH të pronarëve po ua heqim se ata po gëzojnë e do të gëzojnë realisht pronat e tyre.
Cilësori ISH për të përndjekurit do të jetë sepse të përndjekur të rinj nuk ka dhe nuk do të ketë.
3. Natyra shumëdimensionale e çështjeve të ish të përndjekurve dhe heqja e monopolit partiak të PD.
Në një analizë programore prej shtetareje, Spiropali sheh përtej momentit dhe analizon natyrën shumëdimensionale të çështjes së ish të përndjekurve në kontekstin e demokracisë liberale.
Nënvizon dimensionin politik dhe detyrimin e shoqërisë, shtetit dhe institucioneve që të njohin plotësisht përmasat e kësaj traume politike e shoqërore dhe të krijojnë kushtet që të drejtat dhe liritë të lulëzojnë për të gjithë, dhe në të gjitha këto procese ish të përndjekurit të gëzojnë akses, përfshirje, kontribut dhe prosperitet.
Evidenton dimensionin ekonomik, duke bërë thirrje indirekte për shpejtimin dhe përfundimin e kompesimit financiar dhe duke nënvizuar se “Duhet të krijojmë kushtet që liritë ekonomike dhe tregjet e lira të jenë aksesi dhe destinacioni i këtij grupi shoqëror.”
Duke folur për dimensionin ligjor, shpalli hapur angazhimin e saj se “Kuvendi do të plotësojë e përmirësojë legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dheprosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare.”
Dhe hapur synon t’i heqë, në fakt me të drejtë, PD, monopolin mbi ish të përndjekurit. “Duke falenderuar Autoritetin dhe grupet parlamentare për këto propozime, dhe duke qenë se këto çështje nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje partiake, synoj mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre.”
Pas këtij premtimi, steka është ngritur shumë lart dhe projektligjet që janë arkivuar në Kuvend shumë shpejt priten të shohin dritën e miratimit.
N.H.