Sot seancë plenare, protesta zhvendoset para Kuvendit

2 Korrik 2026, 08:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sot në orën 10:00 do të nisë organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

Qytetarët do të mblidhen para Kuvendit ku do të mbahet edhe seanca e radhës plenare, ku mes rendit të ditës janë 2 interpelanca, një me ministrin e Turizmit dhe me atë të Drejtësisë.

Ndërkohë në orën 19:00 do të mbahet protesta masive e 33-të radhazi ku organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë.

Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit do të qëndrojnë për të shprehur kërkesat e tyre.

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.6.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

4. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Drejtësisë, z. Toni Gogu, kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.

5. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025".

6. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për "Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë.

7. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore".

8. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", të ndryshuar".

9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.  


Video