Skandali në aeroport me presidenten Vjosa Osmani, reagon Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut

1 Gusht 2024, 22:20Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u përfshi në një incident paraditen e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ku po kalonte tranzit. Punonjësit e sigurisë kanë kërkuar që asaj t’i merret telefoni, por kjo është kundërshtuar nga stafi i saj. Sipas presidencës së Kosovës një pjesëtar i sigurimit të aeroportit ka tentuar ta shtyjë Presidenten e Kosovës.

Situata është agravuar dhe për këtë Osmani ka kërkuar ndihmën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Për këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut që jep versionin e saj të ngjarjes. Sipas saj, Osmani refuzoi kontrollin në skaner të çantës dhe të telefonit dhe se njerëzit që dërgoi Gashi në aeroport kanë kërcënuar punonjësit.  

Në njoftim thuhet se sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Vjosa Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur iu kërkua që të kalonte celularin në skaner, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Ministria e Brendshme e RMV-së bën të ditur po ashtu, se menjëherë pas incidentit, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale po merr masa për zbardhjen e rastit.

 

 

Video