Shqipëria pjesë e “Super të Martës për zgjerimin e BE”

10 Korrik 2026, 20:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian do hyjë në një etapë të re më 14 korrik, kur do të zhvillohen katër Konferenca Ndërqeveritare me vendet kandidate, ndërsa Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë negociues në rrugën e saj drejt anëtarësimit.

Pas miratimit nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (COREPER), Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Europian e cilësoi zhvillimin si një tjetër hap përpara në procesin e zgjerimit.

“Sot të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të hapin Grupkapitullin 6 për Ukrainën dhe Moldavinë, të mbyllin Kapitujt 8 dhe 29 për Malin e Zi, si dhe Kapitujt 25, 26 dhe 30 për Shqipërinë, duke ndërtuar një momentum të ri për zgjerimin”, thuhet në reagimin e Presidencës irlandeze.

Edhe ministri irlandez për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, e cilësoi 14 korrikun si një “Super të Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, duke bërë të ditur se do të kryesojë numrin më të madh të Konferencave Ndërqeveritare të zhvilluara brenda një dite që prej vitit 2002.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Europian, António Costa, përshëndeti marrëveshjen për Ukrainën dhe Moldavinë, duke e cilësuar atë një tjetër hap drejt anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian dhe një dëshmi të vazhdimit të momentumit të zgjerimit.

Ky zhvillimi pati njw reagim edhe nga kryeministri Edi Rama.

“Shqipëria nuk ndalet. Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATO-s u anulua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lënë, sepse puna e tyre janë llafet, ndërsa fjala jonë është puna”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Më 14 korrik, gjatë Konferencës së nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Tirana do të mbyllë Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë, duke shënuar herën e parë që prej hapjes së negociatave kur Shqipëria mbyll kapituj negociues.


Video