Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar pas shkarkimit të drejtorit të Teatrit Kombëtar Altin Basha.
Ministra thotë se shkarkimi i Bashës është bërë për t’i hapur rrugë mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe rritjes së transparencës.
Altin Basha u akuzua nga një emision investigativ për shpërdorimin e fondeve të Teatrit Kombëtar.
Reagimi i MEKI:
Reagim i MEKI për lirimin nga detyra të drejtorit të Teatrit Kombëtar.
Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, Altin Basha. Pas këtij lirimi MEKI do të çelë një proces përzgjedhjeje për drejtues të ri të TK. Ndryshimi synon në përmirësimin e nivelit drejtues dhe të cilësisë së mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe administrativ, rritjen e transparencës institucionale dhe sjelljen e një fryme të re komunikimi publik dhe bashkëpunimi ndaj komunitetit artistik e profesional.
Me zbardhjen e vendimit, MEKI do të komandojë si drejtues të përkohshëm z Indrit Çobani.