‘Serbia do të hapë konsullatë në Shkodër’/ Ditmir Bushati: Goditje për Kosovën dhe provokim ndaj Malit të Zi!

30 Korrik 2026, 12:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ditmir Bushati/

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë për hapjen e një Konsullate serbe në Shkodër, duke paralajmëruar se, nëse marrëveshja e pretenduar me qeverinë shqiptare është e vërtetë, ajo përbën një gabim të rëndë strategjik dhe politik, me pasoja për interesat kombëtare.

Bushati, ka kundërshtuar me tone të forta planin e bërë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë për hapjen e një Konsullate serbe në Shkodër, duke vënë në pikëpyetje një marrëveshje të pretenduar mes Beogradit dhe Tiranës.

"Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i Jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë", shprehet Bushati.

Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, nëse ky plan rezulton i vërtetë, ai do të përbënte një gabim strategjik që nuk mbështetet në asnjë realitet historik apo demografik.

Reagimi i Ditmir Bushatit:

Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.

Në planin strategjik do të ishte e gabuar.

Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë.

Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri.


Video