“Ka dy avionë personal”, PD jep detaje mbi arrestimin e Ermal Beqirit: I ka regjistruar në Slloveni!

29 Korrik 2026, 16:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belind Këlliçi

Biznesmeni Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas ndalimit të tij në Francë, ku sipas raportimeve u arrestua teksa pilotonte një avion personal.

Lidhur me këtë rast, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje të avionit dhe ka kërkuar që autoritetet të verifikojnë dhe të vendosin masa sigurie mbi asetet që lidhen me Beqirajn, përfshirë edhe mjetin fluturues.

Në reagimin e tij, Këlliçi ka ngritur pikëpyetje mbi kompaninë “Fly Solution”, e cila sipas tij rezulton e lidhur me Ermal Beqirin, duke kërkuar hetim mbi aktivitetin dhe pronësinë e saj.

Ermal Beqiraj është një nga personat e hetuar nga SPAK në dosjen që lidhet me procedurat e prokurimit në AKSHI.

Sipas hetimeve të bëra publike, ndaj tij janë vendosur masa sigurie dhe janë sekuestruar disa pasuri, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete dhe llogari financiare.

Ndërkohë, autoritetet franceze dhe shqiptare pritet të ndjekin procedurat ligjore për vijimin e çështjes, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të sqaruar rolin e personave dhe kompanive të përfshira.

Sipas PD, kompania e Ermal Beqirajt, zotëron dy avionë që janë të regjistruar në Slloveni, dhe do të duhet të ishin sekuestruar nga SPAK.

DEKLARATA E PLOTË E KËLLIÇIT

Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës në uzurpimin e AKSH-it dhe kthimin e tij në ‘kopësht privat të familjes kryeministrore”, Ermal Beqiri, është prangosur nga policia franceze.

Ky është lajm i mirë për taksapaguesit shqiptarë dhe një lajm i keq për Edi Ramën dhe bandën e tij, të cilëve po u shtrëngohet laku.

Ermal Beqiri, në emër të Kryeministrit, ka kryer pengmarrje, shantazhe, vjedhje parash dhe të dhënash personale, duke e kthyer një institucion publik të shtetit, në një kuplara sekrete të sektit të Rilindjes.

Partia Demokratike përshëndet Xhandarmërinë dhe Forcat e Hapësirës Ajrore Franceze që arrestuan kriminelin Beqiri, një armik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Francës.

Ne nuk mund të rrimë pa vënë re edhe një rastësi apo ironi të gjërave: janë gjithmonë shërbimet e huaja që kryejnë ndjekjen, hapin dosjet dhe bëjnë arrestimet e kriminelëve shqiptarë.

Kjo shpjegon shumë, ose për paaftësinë ose për korruptimin e institucioneve të sigurisë shqiptare, që janë kthyer në anekse të pushtetit, jo më në zyra të shtetit.

Ermal Beqiri nuk duhet të japë llogari vetëm për qindra miliona euro të grabitura nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm për pengmarrjen e Daniel Shimës, jo vetëm për skemat, që e bëjnë atë qartësisht anëtar të një organizate kriminale, por edhe për përdorimin, bashkë me Edi Ramën, të të dhënave të qytetarëve shqiptarë për sistemin e patronazhimit, etj.

SPAK po bën sikur po heton Beqirin, dhe nuk po heton padronin e tij Edi Rama, dhe çdo hetim që nuk çon te padrinoja, ashtu si shumë të tjerë, është punë gjysmake, moszbardhje e së vërtetës dhe mosvendosje e drejtësisë në vend.

Ermal Beqiri u arrestua teksa pilotonte avionin e tij personal, që është pikërisht ky avion që shihni në këtë foto dhe që mbart logon Soft Solution. Ky avion është në pronësi të kompanisë Fly Solution, të regjistruar nga Ermal Beqiri në Slloveni. Foto që shihni në ekran, është foto e ëebsite të kësaj kompanie.

I pari avioni DA40NG-The plane that takes you everyëhere, pra avioni që të shpie kudo.

Dhe avioni i dytë DA62-Stability and luxury for your destinations, stabiliteti dhe luksi për destinacionet tuaja.

Në fund lexojmë dhe Fly Solution-The sky is yours, qielli është i yti, njëlloj si në filmin hollivudian Scarface, ku Toni Montana kishte logon The Ëorld is yours.

Nëse SPAK do kishte kryer detyrën dhe do të kishte bashkëpunuar me autoritetet Sllovene, kjo kompani dhe avionët e saj, do të ishin vënë nën sekuestro dhe nuk do të përdoreshin dot nga person i shpallur në kërkim ndërkombëtar Ermal Beqiri, as për fluturimet e tij personale dhe as për transport të kush e di çfarë tjetër.

Logjika është fare e thjeshtë. Është pikërisht SPAK, autoriteti që ka lejuar Ermal Beqirin të lëvizë lirshëm dhe të përdorë asetet e blera me paratë e vjedhura nga populli më i varfër në Europë.

Ndërkohë, Ermal Beqiri duhet hetuar, jo vetëm si kriminel lokal dhe ushtar i Ramës, por edhe si agjent ndërkombëtar. Dyshimi i Forcave Ajrore franceze se fluturimi i tij mbi një central të energjisë bërthamore, në kuota më të ulëta se sa lejohet, nuk mund të jetë një gabim.

Edi Rama e ka dëshmuar prirjen dhe shijen e sëmurë dhe të theksuar për kartelet, ish-shefat e shërbimeve sekrete me të kaluar të dyshimtë, kryeagjentët që tradhtojnë vendet e tyre, si miku i tij i ngushtë Charles McGonigal.

Fakti që Ermal Beqiri është një agjent i Edi Ramës fillimisht, dhe ky i fundit është kryeministër i një vendi të NATO-s, e bën çështjen dhe hetimin edhe më emergjent, edhe më të rëndësishëm.

Në fund, nuk mund të lë pa përmendur protestuesit, që prej 60 ditësh rezistojnë në Tiranë pavarësisht temperaturave të larta, gazit helmues dhe dhunës së Ramës me narkopolicinë e tij.

Të dashur miq, sa herë dilni në protestë kujtohuni se dilni kundër njerëzve si Ermal Beqiri, bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, tradhtarëve të Shqipërisë, që pasi u vjedhin, vihen gjoja në ndjekje dhe kapen me avionë privatë duke shijuar paratë që u kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj.

Prandaj thirrja juaj vjen sot më shumë se kurrë dhe ajo nuk duhet të ndalet:

Rama, jepe dorëheqjen!


Video