Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar sot me kancelarin gjerman Olaf Scholz, gjatë samitit të Procesit të Berlinit që për herë të parë po mbahet në Tiranë.
Ndërsa në një konferencë për media, kancelari gjerman Scholz është shprehur se dënon sulmin ndaj policisë në Veri të Kosovës.
Scholz ka thënë se autoritetet në Kosovë po hetojnë sulmin, ndaj edhe autoritetet e Serbisë duhet të ofrojnë bashkëpunimin e tyre.
Kancelari Scholz tha se është e rëndësishme që problemet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të zgjidhen përpara se të mundësohet integrimi i tyre në Bashkimin Europian.
“Duhet ta dënojmë sulmin ndaj policisë në Veri të Kosovës, kjo është diçka që nuk duhet ta pranojmë. Duhet të ketë një hetim të plotë që do të bëhet nga autoritetet e Kosovës dhe është shumë e rëndësishme që autoritetet serbe të bashkëpunojnë. Kjo do të funksionojë nëse vendet e BE-së nuk shohin drejt së kaluarës por drejt së ardhmes.
Duhet të zgjidhen të gjitha problemet para se të integroheni në BE, nuk mund të merrni me vete problemet atje. Ne i vlerësojmë të gjitha reformat që i keni marrë”, deklaroi Scholz.