Salianji nga Tropoja: Kriminelët e lidhur me PS kanë marrë fondet e BE, për të ndërtuar kulla e hotele

26 Maj 2024, 18:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ervin Salianji

Deputeti demokrat Ervin Salianji nga Tropoja deklaroi se PS ka fituar zgjedhjet, duke bashkëpunuar me bandat në mbarë vendin.

Salianji tha se kryebashkiaku i Tropojës Rexh Byberi është fryrë nga korrupsioni. Sipas tij, PD sot qëndron e bashkuar dhe me parime, ndërsa PS vijon bashkëpunimin me banditët.

Ervin Salianji: Tropoja dhe Shqipëria duhet të jenë krenarë për Sali Berishën dhe Azem Hajdarin. Ne i kemi dhënë fund betejave të brendshme, që kanë çuar ujë tek kundërshtari. Gjithçka kemi kaluar duhet të na shërbejë për reflektim. Kemi bërë gabime në përçarje e ne duhet të shikojmë me kujdes gjithçka. Në 11 vite qeverisje të Ramës, gjithçka ka shkuar keq. PD ka njerëz krenarë, që qëndrojnë në bindjet e tyre. Kryebashkiaku i Tropojës është fryrë nga korrupsioni, kur ishte me PD ishte i keq sipas Ramës, kur u bë me PS qenka i mirë. Ne kemi përmendur Bajrat dhe bandat e tjera në Shkodër, i kemi denoncuar me emra. Pastaj thonë fiton PS.

Nëse bëhet luftë bandash, edhe ju që keni mbetur do merrni arratinë. Ne kemi vendosur të qëndrojmë me vlera. Ne kemi denoncuar Arben Ndokën. E pate Ndokën që bëhej me bandat në gjithë Shqipërinë për të vrarë njerëz. Kontrolli në territor ka qenë i bandave bërë njësh me shtetin, edhe zgjedhjet janë fituar në sajë të bashkëpunimit me banda. Bandat i kanë shërbyer shtetit dhe shteti më pas iu ka shërbyer bandave. PS dhe bandat janë bërë një.

Ai u ndal edhe te takimi i sotëm i Ramës në Milano, duke thënë se për emigrantët shqiptarë nuk është krijuar asnjë lehtësi në mënyrë që ata të kthehen në atdhe dhe nuk ka pasur përpjekje nga mazhoranca për votën e diasporës.

I kanë rënë nja 4 deputetë në burg, 330 me ligjin e dekriminalizimit zyrtarë të lartë. I ndodhi kjo e bandave, i ndodhi me bashkinë e Tiranës, me të Kukësit, me të Dibrës, i kanë ndodhur skandale cep më cep. Kur jep dorëheqje një kryeministër dhe një qeveri? Një prej këtyre të ndodhte në një vend normal ose të ishim një shtet me demokraci foshnjërore do të bënte minimalen për të treguar një moralitet politik që kryeministri të jepte dorëheqjen për të treguar se nuk ka lidhje me ta, por sa më shumë skandale të ndodhin aq më shumë i mbron PS. 51 shpallen në kërkim, arrestohen apo quhen në arrest ata në burg, të tjerët i vazhdojnë punët nga Dubai apo vende të tjera.

Si tha Gledis Nano, plumbin e artë e dekonspiroi policia, pse shtet është ky? Pse përballje politike është kjo? Kemi përballë gjithë krimin dhe bandat, kemi pasur përballë fuqinë e tyre financiare, janë kapur segmente të PD, është izoluar lideri i opozitës, i ka hequr logon dhe thotë fitoj. Si po fiton? Prandaj e vetmja mënyrë me një qeveri pa moral, e vetmja formë është protesta dhe reagimi ndaj regjimit për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që vota e qytetarëve të shkojë aty ku ata mendojnë se është zgjedhja më e mirë.

Asnjë lehtësi për emigrantët nuk ka dhënë për t’i ndihmuar kur kthehen në Shqipëri. Kush i ka marrë fondet e BE, kriminelët e lidhur me PS për të ndërtuar kulla e hotele. Pse nuk u thoshte emigrantëve se diaspora duhet të votojë dhe t’i garantojmë votën? Sepse janë qytetarë që kanë kontribuar për këtë vend me remitancat e tyre. Takim për çfarë, kush nuk e di që janë të korruptuar e s’kanë ku çojnë paratë? Pushteti i PS është i përqendruar te një dorë banditësh. Patë ndonjë reagim nga Rama apo njerëzit e tij për këto operacione? Të thoshte për këta njerëz që i ka mbrojtur me zell kur ne i denonconim, të kërkonte ndjesë për ta ose të jepte dorëheqjen? Duhet forca më e fortë e ligjit për të çliruar energjinë e nevojshme në Shqipërinë e pasur por të vjedhur për të bërë ndryshimin”, u shpreh ai.

Video