“Nga marrëveshja për pensionet përfitojnë 421 mijë persona”, Rama nga Milano: Pretendimet për largimin e 1 mln shqiptarëve, gënjeshtra

26 Maj 2024, 14:00Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama ne Milano

Në takimin me shqiptarët e Italisë, kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje marrëveshjen për pensionet me shtetin italian, prej të cilës do të përfitojnë 421 mijë shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se me atë marrëveshje kanë vendosur një gur të çmuar dhe të munguar në kurorën e drejtësisë që ata kanë merituar.

“Falë angazhimit personal të Melonit, mike e paepur e Shqipërisë dhe zëdhënëse shumë e fortë e jona në BE, ne ia dolëm që të vendosim më në fund pas një përpjekje të gjatë por të palodhur 20-vjeçar një gur të çmuar në kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama u kujtoi po ashtu shqiptarëve në Itali se për shumë vite me radhë me remitancat kanë mbajtur në këmbë Shqipërinë.

“Sot është radha e Shqipërisë t’ju bëjë krenarë kur flitet për dinjitetin e saj të rifituar përfundimisht europian”, shtoi kreu i qeverisë.

Gjatë fjalimit të tij, Rama u ndal edhe tek problemet e brendshme politike në Shqipëri.

“Disa gojë, nga ato që ju i njihni mirë, thoshin këto ditë që nuk duhej të vija këtu, se paskan ikur 1 milionë shqiptarë 10 vitet e fundit, është një gënjeshtër, e madhe e ligë dhe e turpshme.”

Gënjeshtra dhe ofendim për shqiptarët e Greqisë ishin, sipas Ramës, edhe pretendimet se në Athinë u nisën autobusë me njerëz nga Tirana për të mbushur sallën ku u bë takimi në kryeqytetin helen.

“E vërtetë është, kanë ikur edhe në këto 10 vite shumë shqiptarë, shumë më tepër sesa janë kthyer...Por, Shqipëria e narko-shtetit.... është një Shqipëri që ekziston në humnerën e atyre gojëve, që  përndjekin tokën e fëmijëve të Shqipërisë që në 1912”.

Që prej Pavarësisë, shton kreu i qeverisë, “më të liqtë e armiqve të vet, Shqipëria i pati gjithmonë nga radhët e parisë së vet.”

 

Video