Rrëzimi i mocionit për “Xibrakën”, Çuçi: Çështje e stër-ezauruar, s’ka pse zhvillohet! Bardhi: Është për drogën në përgjithësi

15 April 2024, 17:05Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rrëzimi i mocionit për “Xibrakën”,
Gazment Bardhi / Bledi Çuçi

Kreu i grupit parlamentar socialisty Bledi Çuçi thotë se nuk ka nevojë për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend, lidhur me çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku prej disa ditësh opozita akuzon se i përfshirë ka qenë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.

Çuçi tha se kjo çështje është ezauruar disa herë tashmë.

"S'kemi si të vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocion s'duhet zhvilluar fare pasi janë çështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si është parashtruar kërkesa s'ka vend fare për mocion. Kërkesa e opozitës lidhet me çështje që janë gjykuar nga drejtësia madje edhe me vendime të formës së prerë, që janë ezauruar edhe në debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund të ulemi sot të flasim për datën e një mocioni", deklaroi Çuçi.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se opozita nuk do të tërhiqet për paraqitjen e një date. Ai shtoi se debati është për fenomenin e kultivimit apo shitjes së lëndëve narkotike në vend, dhe jo posaçërisht për “Xibrakën”.

“Refuzuan të caktojnë një datë për debatin parlamentar sa i përket fenomenit të shitjes apo kultivimit të lëndëve narkotike. Mocioni bazohet në raportin që e vendos Shqipërinë në krye të vendeve tranzit të transportit ndërkombëtar. Por kur bëhet fjalë për drogë, u shkon mendja te Olsi Rama, dhe kur bëhet fjalë për Olsi Ramën janë të gatshëm të shkrijnë Kuvendin e Shqipërisë.

Pa dyshim që ne do t’i qëndrojmë mocionit që kemi përgatitur. Mocioni është i detyrueshëm brenda 30 ditëve nga momenti i paraqitjes, unë shpreh keqardhjen për kolegët që shkelin çdo ditë rregulloren e Kuvendit, për shkak të përfshirjes së njerëzve të kryeministrit në afera kriminale”, deklaroi Bardhi.


Video