Janë rinumëruar më shumë se 70% e votave të qarkut Tiranë.
Nga rezultati, deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në mandate.
Partia Demokratike dhe koalicioni i udhëhequr prej saj synonin të merrnin mandatin e 14 në Tiranë, duke pretenduar se kishte tjetërsim dhe parregullsi votash, por nga rinumërimi ka humbur edhe më shumë vota.
Vota të pamerituara janë gjetur edhe në shumë prej kandidatëve si në radhët e socialistëve ashtu dhe të koalicionit opozitar.
E vetmja garë e hapur është ajo mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës brenda Partisë Socialiste, të cilat u ndanë me diferencë të ngushtë votash.
Diferenca nga 140 vota, tani është ngushtuar në 75.
Në zgjedhjet e 11 Majit, mandatin e deputetes e fitoi Olta Xhaçka, por Blerina Gjylameti synon ta marrë.
Procesi i rinumërimit të votave parashikohet të mbyllet këtë fundjavë sa i përket qarkut të Tiranës.