Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë foltoren e radhës para godinës së Këshillit të Ministrave, ku mbajti sërish një fjalim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Berisha deklaroi se “opozita shqiptare është e pamposhtur”, duke theksuar se ajo po qëndron për “të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, pavarësisht presioneve politike dhe sulmeve ndaj saj.
Lideri demokrat e cilësoi Shqipërinë si “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, ndërsa akuzoi qeverinë se mbështetet te kartelet e drogës, korrupsioni dhe vjedhja e pasurisë publike.
Sipas Berishës, regjimi i Ramës ka sjellë varfërim të shqiptarëve dhe rritje të kostos së jetesës.
Berisha tha se në Shqipëri është rritur kostoja e jetesës me 60 për qind, si në asnjë vend tjetër në 5 vitet e fundit.
Kreu i selisë blu thotë se Rama e ka bërë Shqipërinë në një vend të pajetueshëm, ndërkohë që ai sipas tij “po vjedh miliarda”.
“Çdo ditë, mediat ndërkombëtare informojnë kombet e tyre me të vërtetat që ne denoncojmë. Me të vërtetat që ne mbrojmë. Me të vërtetat për të cilat ne ngrihemi dhe protestojmë. Tetë rezoluta ndërkombëtare damkosin regjimin e Tiranës. Damkosin një regjim, i cili varfëron shqiptarët me vjedhjet e tij çdo muaj. 60 përqind është rritur kostoja e jetesës në Shqipëri si në asnjë vend tjetër në 5 vitet e fundit. Si do jetojnë shqiptarët? E ka bërë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, në një kohë kur me baxhanakun dhe vetë kanë vjedhur qindra e qindra milionë, personalisht ai miliarda. Por ne qëndrojmë. Ne jemi këtu të betuar, të pamposhtur në qëndresën tonë”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe te procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Dhe se përveç kriterit gjeopolitik, me regjimin e Edi Ramës nuk plotëson absolutisht asnjë kriter tjetër, asnjë standard tjetër për integrimin e saj në BE. Por ne mbështesim integrimin. Po pse? Se mund të thoni pse e mbështesni. Jo, gjeopolitika është forcë natyrale.
Ne nuk duam kurrë që ky vend të përfundojë në hapësira të tjera. Ne duam që ky vend të mbetet përjetësisht në hapësirën perëndimore, në hapësirën evropiane. Ndaj dhe ne, duke iu përmbajtur të vërtetës, kemi deklaruar se përveç kriterit gjeopolitik, nuk plotëson asnjë kriter, por ne mbështesim integrimin e Shqipërisë”, përfundoi ai.