Presidenca sqaron dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë: Pezullimi, vetëm nëse urdhërohet nga Gjykata Administrative

1 October 2025, 16:42Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Presidenca sqaron dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë: Pezullimi,

Për shkak të interesit të lartë publik, institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti ka shqyrtuar rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrimin e respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak, dhe ka konstatuar se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryer sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton se Këshilli i Ministrave është referuar te kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, që parashikohet nga neni 115 i Kushtetutës. Kjo do të thotë se, për VKM nr. 539, datë 25.09.2025, nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër, që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata”, ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se, në periudhën nga data e miratimit të VKM-së, nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij. Ndërkohë, afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve, me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.


Video