
Gjatë një interviste të dhënë për median gjermane “Der Spiegel”, kryeministrit Edi Rama i është vënë në dukje se në Shqipëri prej vitesh dominojnë skenën politike të njëjtët emra.
“Që nga fillimi i viteve 1990: paraardhësi juaj Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta dhe Edi Rama. Jeni në pushtet prej një kohe të gjatë?”, pyet gazetari/a gjerman.
Megjithatë, Rama thekson se ai nuk ka qenë në politikën shtetërore po aq vite sa Meta e Berisha, ndërsa shton se tashmë në parlament ndodhet një gjeneratë e re.
Kurse i pyetur për besimin që ka shprehur shpesh te gratë e kabinetit, kreu i qeverisë thotë se në ndryshim nga burrat, ato i çojnë projektet që marrin përsipër përpara. Po ashtu, ndërsa sillte në vëmendje bukuritë natyrore të Shqipërisë, Rama ftoi pensionistët gjermanë që ta kalojnë pleqërinë e tyre buzë brigjeve shqiptare.