“Po përdor imunitetin për të mbrojtur Lubitë”, Berisha i drejtohet Ramës: Po pengove drejtësinë do të kesh fatin e Enver Hoxhës

13 January 2026, 19:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Po përdor imunitetin për të mbrojtur Lubitë”,
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga qyteti i Lezhës, në një takim me rastin e 35-vjetorit të themelimit të PD, ka përmendur një nga momentet më të vështira të opozitës në historinë e saj, skemat piramidale që shkaktuan revolta qytetare në vitin 1997.

Berisha tha se PD, mori përgjegjësitë për një gabim, sipas tij, të bërë pa dashje, por sërish pranoi vullnetin e popullit që e ndëshkoi me votë.

“Ne, pasi njohëm gabimin tonë, bëmë zgjidhjen më të drejtë ligjore, u dhamë problemeve të krijuara në mënyrën më të drejtë, më të ndershme.

Nuk pranuam që me ndërgjegje të kryenim veprime amorale, të merrnim paratë e atyre që nuk kishin vendosur asnjë qindarkë në skemat piramidale dhe t;ua jepnim atyre që i kishin humbur, jo, ne ndoqëm standarde morale, pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim.

Dhe përsëri, shqiptarët e vlerësuan këtë. Shqiptarët panë tek ne një forcë politike me moral. Një forcë politike që e lëshoi karrigen, doli në gjyqin publik, mori përgjegjësitë, por mbeti e ndershme në moralin e saj.

Nuk mashtroi qytetarët. Mos harroni, rivali im u tha qytetarëve do u rikthejmë çdo qindarkë”, tha Berisha.

Berisha i ka drejtuar një paralajmërim kryeministrit Edi Rama gjatë një takimit me mbështetësit në Lezhë, duke e cilësuar atë si “kriminelin më të rrezikshëm” në krye të shtetit.

“Mos harroni asnjëherë se nuk ekziston askund një kriminel më i rrezikshëm dhe një hajdut më i madh sesa Edi Rama në qeveri, Taulant Balla në krye të Grupit Parlamentar dhe Lubi Balluku me të tjerë,” u shpreh Berisha.

Ai e akuzoi Ramën se nuk respekton vendimet e drejtësisë dhe se kërkon të shfrytëzojë imunitetin për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera, duke përmendur drejtuesen e AKSHI-t dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Berisha paralajmëroi se çdo tentativë për të penguar drejtësinë do të sjellë pasoja, duke iu drejtuar Ramës: “Nëse pengon drejtësinë, do të përfundosh si babai yt shpirtëror, Enver Hoxha.”

“Mos harroni kurrë se nuk ka kriminel më të rrezikshëm, hajdut më të madh, askund sesa Edi Rama në qeveri, sesa Taulant Balla në krye të Grupit Parlamentar, sesa Lubi Balluku e të tjerë. Jo, jo, nuk ka asgjë të krahasueshme, asgjë. Duhet t’i shohim gjërat siç janë.

Çfarë bënë ata? Ne i përmbushëm detyrimet tona, mbrojtëm votën, por ditë e natë kemi denoncuar çdo vjedhje dhe çdo shkelje. Tani po faktohen. Sot del fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe thotë: “Unë nuk i njoh vendimet”, thotë se do të përdorë imunitetin për të mbrojtur Lubitë, Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit.

Ai u thotë demokratëve dhe shqiptarëve: “Ju kam vjedhur dhe ju nuk keni ç’të bëni.” Po i them nga Lezha, po pengove drejtësinë, fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës, do të kesh. Besove se pasi i ke lënë të sëmurët në spitale pa ilaçe, fëmijët në shkolla pa ngrohje, rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon, pasi ke ndërtuar parajsën tënde me paratë e shqiptarëve dhe je kapur me dokumente për të gjitha këto, mendon se do të përdorësh imunitetin? Gjej vrimë miu. Ja ku po ta them, kurrë nuk do ta pranojmë”, tha Berisha.


Video