Turi i kryeministrit Edi Rama në pesë vende të rajonit pritet të nisë ditën e nesërme me një vizitë në Maqedoninë e Veriut.
Në Shkup, Rama do të takohet me homologun e tij Dimitar Kovaçevski, por vizita e Ramës në Maqedoninë e Verut nuk do të zgjasë gjatë, pasi kreu i qeverisë shqiptare do të niset më pas drejt Prishtinës.
Aty, Rama do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, por është e paqartë nëse do të arrijë të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Ky i fundit sot ka refuzuar takimin me Ramën, duke thënë se më parë duhet të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve.
Rama tha se do të komentojë refuzimin e Kurtit në një deklaratë për media, të enjten në mbrëmje.
Diën e premte, Rama do të niset drejt Bosnjes dhe Hercegovinës dhe më pas do të udhëtojë drejt Malit të Zi.
Turi ballkanik i kryeministrit Edi Rama, pritet të përmbyllet në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Ky tur shihet si një përpjekje e Ramës për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas incidenteve në veri të vendit, për çka kryeministri Rama është angazhuar publikisht si dhe me propozime konkrete te krerët më të lartë të BE-së, për një mënyrë se si palët mudn të rikthehen në dialog.