Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas lajmeve se Partia Demokratike do të kërkojë rinumërim me shpresën për të marrë një mandat tjetër në Tiranë.
Bëhet fjalë për mandatin e dytë të Mundësisë, që për një diferencë tepër të vogël votash, i humbi kandidatit të PD-së, Ilir Alimehmeti.
Shehaj thotë se kjo është një tentativë për “grabitje” dhe sipas tij nuk ka për të ndodhur.
Mesazhi i Shehajt:
Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.