PD: Bashkia e Tiranës “ka harruar” të bëjë publik datën e anulimit të tenderit për rrugën "John Belushi", ja arsyetimi i përdorur

24 Janar 2023, 16:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Klevis Balliu

Partia Demokratike ka vijuar denoncimet mbi tenederin 470 milionë lekë për rrugën "John Belushi" nga Bashkia e Tiranës.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu deklaroi se Bashkia e Tiranës në anulimin e tenderit ka përdorur si arsyetim "për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive", por sipas tij, kjo ka ardhur pas denoncimit nga kandidati i opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi.

Ai deklaroi më tej se “Lali lavatriçja” nuk e kishte parashikuar që Partia Demokratike e Shqipërisë do e kapte në zhvillimin e një procedure fiktive prokurimi.

Balliu deklaroi se Bashkia e Tiranës nuk ka publikuar asnjë datë se kur është anuluar tenderi për rrugën "John Belushi".

DEKLARATA E SHEFIT TË ORGANIZIMIT NË PD, KLEVIS BALLIU

Në vijim të denoncimeve të mëparshme lidhur me abuzimin financiar 470 milionësh për rrugën John Belushi, për të cilin është bërë kallëzimi në SPAK, sot duam të bëjmë publike edhe një provë tjetër.

Në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 4, datë 16 Janar 2023, dokument zyrtar që publikohet nga Agjencia e Prokurimit Publik, në faqet 314-315, është publikuar Njoftimi i Anulimit nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë, i procedurës së prokurimit me numër reference: REF-35961-12-16-2022, për procedurën e prokurimit me objekt: “Ndërtim i rrugës “Xhon Belushi” dhe degëzimi i saj rruga “Thoma Filipeu””, me fond limit 47,112,785 lekë pa TVSH. Në pikën 6 të këtij njoftimi publik, Bashkia Tiranë ka sqaruar se arsyeja e anulimit të këtij tenderi është për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive…

Vetëm pasi kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, denoncoi publikisht vjedhjen e hapur me fondin e rrugës John Belushi, Bashkia Tiranë e kapur në flagrancë, zgjodhi të minimizojë pasojën ligjore që do të ketë, duke anuluar këtë tender fiktiv. Bashkia Tiranë e pranon që arsyeja e anulimit është “rrethanë e paparashikuar”, pra “Lali lavatriçja” nuk e kishte parashikuar që Partia Demokratike e Shqipërisë do e kapte në zhvillimin e një procedure fiktive prokurimi.

Për shkak të këtij ”paparashikimi”, autoriteti kontraktor vendosi të anulonte këtë tender fiktiv. Tek pika 7 e publikimit të Njoftimit të Anulimit, Bashkia Tiranë “ka harruar” të bëjë publik datën e anulimit të tenderit, fakt që provon se anulimi i tenderit fiktiv është bërë menjëherë pasi Belind Këlliçi denoncoi publikisht pamjet në këtë rrugën “Xhon Belushi”, ku mjetet e Bashkisë Tiranë kishin hedhur jo vetëm materialin mbushës të rrugës, por po hidhnin edhe shtresat e asfaltit elektoral.

Në mënyrë të ripërsëritur, kërkojmë nga SPAK që t’i drejtohet Agjencisë së Prokurimit Publik, si institucioni përgjegjës:

Në cilën datë është bërë publikimi i shpalljes së procedurës së mësipërme të prokurimit, pra ku do të provoni se tenderi do të hapej në datë 09.01.2023?

Në cilën datë është bërë publikimi i shpalljes së mbikëqyrjes së procedurës së mësipërme të prokurimit?

Në cilën datë është bërë anulimi i tenderit të zbatimit dhe ai i mbikëqyrjes së punimeve nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë?

Përse ka bërë publik një dokument si ky i anulimit të tenderit të zbatimit të procedurës fiktive të prokurimit, në kushtet kur nuk është plotësuar pika 7, informacioni shtesë, në të cilin duhej të ishte publikuar data e anulimit të tenderit? Mos vallë po përfshihet edhe APP-ja në këtë aferë fiktiviteti?

Nga SPAK kërkojmë gjithashtu të lëvizë vendit dhe të merret me vjedhjet publike të punëve dhe parave publike të cilat nuk kanë nevojë për hetime sepse janë akte flagrance që kuptohen edhe nga fëmijët e klasës së parë. Përse nuk bëhet arrestimi në flagrancë i Kryetarit të Bashkisë, i cili referuar Ligjit të Prokurimit Publik dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij është edhe titullari i Autoritetit Kontraktor, të cilin ligji e ngarkon me përgjegjësi ligjore?

Përse SPAK nuk merr deklaratën që “lavatriçja” e Bashkisë bëri publike ku pretendonte se kishte mbi një javë që kishte anuluar tenderin, ndërkohë që rezulton e kundërta, referuar kjo të gjitha provave dhe fakteve të bëra publike?

Video