VIDEO/ “Po pse dreqin të duroj kur shpirti po më plas”, 21 janari dhe kënga që u zhduk e Dr. Florit

24 Janar 2023, 11:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Edi Rama dhe Florjan Kondi (ose Dr.Flori siç njihet në botën e muzikës) patën bashkëpunim prej një dekade. Ai dhe dy djemtë e tjerë të grupit “West Side Family” kanë kënduar “himnet” e fushatave të Ramës si kryebashkiak në vitin 2003 dhe si kryesocialist për garën parlamentare të vitit 2009.

Ata kanë realizuar së bashku edhe këngën e njohur Tirona.

Florjani ka qenë pjesëmarrës në disa festivale shqiptare dhe ndër vite ka realizuar dhjetëra këngë. Por asnjëra prej tyre nuk është komentuar sa kënga ribotuar sot nga DITA që mund të shihet në videon më poshtë. Kënga quhet “Zemërthyer”. Florjani e krijoi këtë këngë të bukur i zhgënjyer pas aleancës Rama-Meta.

“Dikush më tha të mos flas, po pse dreqin të duroj kur shpirti po më plas”, – thotë kënga.

Sapo u lançua ajo pati një “boom” të madh klikimesh dhe opinionesh në internet. Por ende pa u mbushur 24 orë kënga hasi në bllokimet e para. Videot që u hodhën menjëherë pas lançimit, ranë “pre” e hackerave që, përveç pamjeve, lëvizën edhe komentet e shumta.

Për disa minuta të orës 17:00-18:00 të ditës pas lançimit u fshinë të gjitha klipet e hedhura në youtube. Ato u zëvendësuan më pas nga produksioni që ka prodhuar këngën, por sërish disa prej tyre u bllokuan nga hackerat.

Cilët ishin hackerat dhe kush i pagoi? Ajo që dihet është se njëkohësisht me bllokimin e këngës, në rrjetet sociale të PS nisi të shpërndahej nga njerëzit e Ramës një fotomontazh i Dr. Florit që tentonte denigrimin e imazhit të tij publik me diçiturën: Ne jemi qerosët, përpara!

Një montazh i tillë u publikua edhe në faqen e FB për llogari të: “Të mbështesim Edi Ramën në zgjedhjet parlamentare 2013”. Dr. Florit i ishte montuar një thikë në dorë.

Këngëtari i njohur pati një vdekje tragjike. Në 2013 në një intervistë dhënë gazetares Elisabeta Ilnica mbi këtë këngë, kur u pyet pse ndihej zemërthyer, ai tha:

“Zemërthyer, nga pazari që u bë me idealin. Zhgënjimi është kudo në këtë projekt. Zhgënjim sidomos për ne idealistët, që dolëm në shesh në protestën e 21 janarit”.

Video e këngës:


Pjesë nga intervista e Florianit mbi këtë këngë dhënë në 2013:

Miq nuk kemi qenë asnjëherë, pasi me miqtë unë komunikoj. Ndërsa me Ramën 99% e komunikimit ka qenë vetëm për këngët e fushatave.

Cili është komunikimi i fundit që keni pasur me Ramën?

Nuk e mbaj mend…

Pas lançimit të këngës, a keni pasur ndonjë reagim nga ana e Ramës?

Çdo gjë është ajo që ka ndodhur me të vërtetë. “Dikush më tha rri urtë, thashë më mirë mos flas…”. është një nga vargjet e këngës.

Kush?

Është shumë e zakonshme në Shqipëri që të të thonë rri urtë, ç’të duhet ty. Por ja që duhet ndonjëherë të tregosh guxim. Shumë njerëz tek ne nuk e kanë.

Në një tjetër varg, këndoni: “Tradhtar në sy të njerëzve, tradhtar përpara Zotit…”. Cilat janë veprimet që sipas jush e bëjnë Edi Ramën “tradhtar”?

Njerëzit që dolën në demonstratë, e dinë shumë mirë se kundër kujt dolën dhe ajo që morën, ishte një bashkim me atë për të cilën dolën për të kundërshtuar.

Në videoklipin e këngës shfaqen shpesh skena nga protesta e 21 janarit 2011. A keni qenë pjesëmarrës i saj?

I dokumentuar. Më ka kapur dhe kamera./DITA

Video