Pavarësia e Kosovës, Presidenti Begaj mesazh urimi: Jemi dy shtete, por një komb

17 February 2024, 08:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pavarësia e Kosovës, Presidenti Begaj mesazh urimi: Jemi dy shtete,
Presidenti Bajram Begaj

Me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale, ai shprehet se jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë.

Mesazhi i plotë:

Sot është ditë e veçantë për të festuar.

17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar.

Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës.

Faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës.

Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, z. Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim.

Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike.

Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont.

Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.

Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes.


Video