Pas akuzave për dhunë, Xhelal Mziu i hipën kalit: Derë më derë si në kohën e Skënderbeut (VIDEO)

25 Prill 2025, 20:24Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Xhelal Mziu

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Xhelal Mziu, është shfaqur ditën e sotme sipër kalit, teksa vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Përmes një videoje të postuar në Facebook, Mziu shfaqet me bluzën me numrin 1 të PD-së, teksa ngre 2 gishtat lart, në momentin që është sipër kalit.

“Në kërkim të çdo vote, derë më derë si në kohën e Skënderbeut”, ka shkruar Mziu në faqen e tij në Facebook krahas videos.


Kujtojmë se ditën e sotme Xhelal Mziu dhe nipi i tij Elson Mziu, janë përfshirë në një incident, ku sipas Policisë ata kanë dhunuar me grushta një person.

Sipas policisë, xhaxha e nip kanë dhunuar mesditën e së enjtes pas një takimi elektoral të zhvilluar nga Partia Demokratike në fshatin Ostren, 33-vjeçarin Kalosh Murra. Incidenti ka ndodhur në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.

Mësohet se 33-vjeçari është punonjës në këtë njësi administrative, përgjegjës në sektorin e ndarjes së ndihmës ekonomike. Vetë Kaloshi ka pohuar në polici se nuk ka dijeni përse ndodhi incidenti.


Video