Operacioni i SPAK, Berisha: Oltion Bistri, përbindësh i krimit. Pëllumb Gjoka ka grabitur toka në Velipojë me ndihmën e Ramës

27 July 2023, 13:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Operacioni i SPAK, Berisha: Oltion Bistri, përbindësh i krimit.
Sali Berisha

Gjatë konferencës për shtyp këtë të enjte, Sali Berisha ka komentuar edhe aksionin e fundit të SPAK ku është arrestuar biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtori i Operacionales, Oltion Bistri dhe prokurori Xhevahir Lita.

Berisha tha se Gjoka është një nga banditët kryesorë që ka grabitur toka në Velipojë me ndihmën e Ramës. Ndërsa për Oltion Bistrin u shpreh se është një nga ekssponentët e krimit në Shqipëri dhe Ballkan.

“Krahas shkarkimit të Damian Gjiknurit, numrit dy të PS, sot është njoftuar arrestimi i disa krerëve të botës së krimit shtetëror dhe të lidhur me shtetin. Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka, një nga banditët kryesorë, një njeri, i cili me ndihmën e Edi Ramës, ka grabitur rreth 100 mijë metra katrorë në Velipojë. Akuzohet edhe për vrasje njerëzish. Pëllumb Gjoka ka një motel këtu, të cilit Edi Rama i ka dhënë apo donte t’i jepte pesë yje dhe kazino. Pëllumb Gjoka ishte po kaq i afërt me Edi Rramën sa Damian Gjiknuri. Por mbi Pëllumbin ishte Bistri. Bistri është një nga eksponentët e krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai drejtonte Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. Oltion Bistri është një përbindshëm i krimit. Nga hajdut ordiner te autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit. Ai zbatonte urdhrat e prokurorisë për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij në krim, ndaj edhe ata ia mbathnin lirshëm se njoftoheshin para se të ekzekutohej urdhri. Të gjithë ata që zbatojnë ligjin, do kenë mbështetjen e plotë të PD”, tha Berisha.

Prej orëve të mbrëmjes të së mërkurës, Prokuroria e Posaçme po zhvillon një operacion të gjerë, që deri më tani ka çuar në pranga të paktën 6 persona.

Gjithnjë sipas informacioneve të deritanishme, në pranga kanë rënë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka.

Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Në pranga raportohet të ketë rënë edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit.


Video