
"Sot jemi për ngushëllime. Janë bashkuar dy salla të hotelit Rogner për të sajuar vendin ku dhjetëra njerëz hyjnë dhe dalin. Ilir Meta është në krye, në krahun e djathtë të të ëmës, përballë dyerve që sigurohen nga agjentët."
Kështu shkruan gazetari Arben Rrozhani, teksa ndan disa momente nga pritjet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të babait të presidentit Ilir Meta, Rexhep Meta, i cili dje u përcoll për në banesën e fundit në fshatin e lindjes, Çepan.
"I hequr, i transformuar totalisht, por energjik. Çohet, pret njerëzit dhe ulet, bën shaka, pyet për familjarët, shëndetin, biznesin, jetën. Pastaj i drejtohet sërish Mondit, një burri veshur me bluzë që e ka përballë: U pa puna do të bëjmë një parti të re dhe do ta quajmë “313”, shkruan më tej gazetari.
Arben Rrozhani thotë se sot, në ditën e dytë të lirisë, Ilir Meta nuk ngopet duke folur me njerëzit, madje nuk i mban mëri askujt.
"Meta i pret të gjithë njëlloj: Filip Çakulin, drejtorin e “Fiks Fare”, emisionit që i nxorri videon e “dua 700 mijë” plot 16 vite më parë dhe ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga zv/kryeministër. Nuk ka asnjë hatërmbetje dhe Meta e pyet Filipin që ka marrë pamjen e peshkatarit Popeye, por me mjekër, për familjen dhe jetën në përgjithësi nga Tirana në Sarandë. Një ish-zyrtare e LSI-së i sjell një diplomat italian që i shpreh ngushëllimet.
Meta nuk ka të ngopur duke folur me njerëzit, me zë të lartë, i lumtur, pa asnjë drojë. Po shijon në maksimum ditën e dytë të lirisë pas arrestimit banditesk në hyrje të Tiranës në tetor 2024 dhe më pas daljeve turpëruese në gjyq brenda një kafazi qelqi si të ishte kryeterroristi i botës, edhe pse me akuzat që ka mbi shpinë, duheshin kalbur brenda gjithë kryetarët dhe sekretarët e përgjithshëm të partive apo ish-ministra dhe kryetarë bashkish që paguan miliona për të lobuar dhe për të patur mbrojtjen ligjore nga studiot në SHBA.
Dje e çuan me forgon policie në fshatin ku do të prehet i ati, sot e kanë sjellë me leje deri në orën 21:00 për të pritur ngushëllime në një sallë të mbyllur, disa metra larg selisë së qeverisë që e drejtoi në vitet 2000-2001 e si zv.kryeministër në vitet 2009-2010, selisë së Kuvendit ku ishte numri 2 i shtetit në vitet 2013-2017 dhe presidencës ku ishte kryetar shteti në vitet 2017-2022", rrëfen më tej gazetari Arben Rrozhani.