Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin poshte shtepise se tij, ish kryeministri, Sali Berisha u shpreh se ne kishim mik presidentin e SHBA, ndërsa sipas tij, Edi Rama krenohet me McGonigalin.
Berisha gjithashtu u tha protestuesve se ai jeton në një apartament modest, ndryshe nga Rama që ka një "saraj" në Surrel me 5 mijë metra katror tokë dhe 750 m2 ndërtim.
Fjala e Berishës:
Miqtë e mi!
Nuk jemi njëlloj. Ne kishim mik presidentin e SHBA.
Edi Rama krenohej me McGonigalin, shpallte mik McGonigalin.
Nuk jemi njëlloj sepse ne me reforma të thella anëtarësonim Shqipërinë në NATO, Edi Rama organizonte protesta me portretin e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit në NATO.
Nuk jemi njëlloj kurrën e kurrës, pasi PD u shndërrua në lokomotivë të vërtetë të proceseve integruese. Pro-europeizmi, pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar.
Për Edi Ramën, Rilindjen e tij këto janë thjesht gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet e tij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin, për të mbuluar mjerimin e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga Shqipëria.
Nuk jemi njëlloj se ne kurrë nuk menduam ndonjëherë dhe nuk pranuam që të kthenim monizmin në Shqipëri. Nuk pranuam ndonjëherë të lobonim për kontrollin e opozitës apo shkatërrimin e saj.
Përkundrazi, bëmë gjithçka të konsolidojmë vlerat e demokracisë. Ndërsa Edi Rama, duke kthyer votën në krim dhe krimin në votë, duke angazhuar paratë e krimit kundër opozitës, mohuar të drejtat kushtetuese në parlament të opozitës, arrestuar liderin e PD, bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.