Një përgjigje e detyruar për Edmond Spahon.
Në Malësinë prej nga vij unë ka një shprehje: “Ka me ardh një ditë që njerëzit kanë me prit në radhë me u turpnu.”
Dhe, për fat të keq, Mondi, duket se ti ke hyrë në atë radhë.
Pas gjithçkaje që të dhanë demokratët dhe Partia Demokratike, sot të shohim duke iu lutur Edi Ramës të mos largohet. Një fund i trishtë politik për dikë që dikur ishte pjesë e opozitës.
Ndoshta në pritje të ndonjë kocke, qoftë edhe të një honorari mediatik, si shumë ish-politikanë që sot jargaviten studiove televizive vetëm për të mbetur në qarkullim.
Unë, në vitin 2025, garova në Durrës për deputete. Shkova derë më derë, në Shkozet, te Troplinët, në Port, Currila, Spitallë e në çdo fshat ku kërkohej betejë. U përballa me patronazhistët, me bandat kriminale dhe me presionin e një regjimi që nuk njeh rregulla. Nuk u tërhoqa.
Ti ishe drejtues politik në Durrës në vitin 2015 dhe të gjithë e dinë rezultatin që la pas ai drejtim.
Unë nuk qurravitem dhe nuk ankohem. Jam për herë të tretë anëtare e Këshillit Kombëtar dhe kam bërë beteja politike e publike për Partinë Demokratike. Pyete elektoratin demokrat çfarë mendon për mua.
Kur drejtoja protestën studentore në vitin 2018, zgjodha të qëndroj në krah të studentëve.
Nuk e shita kauzën e tyre për asnjë interes dhe nuk u josha nga pushteti. Kjo është arsyeja pse njerëzit më njohin si një zë që nuk i braktis kauzat.
Nuk kam mllef, Mondi. Mllefi duket se është i yti. Partia Demokratike të dha gjithçka, ndërsa unë, ndryshe nga ty, vetëm i kam dhënë Partisë Demokratike.
Unë nuk kam hyrë në politikë për të lëpirë kocka dhe as për një rrogë. Jam prej një fisi malësor ku nderi është mbi gjithçka. Fisnikëria është në gjak, në karakter dhe në qëndrim.
Sot unë vazhdoj të jem në përballje me një regjim që dëmton Shqipërinë. Ti, përkundrazi, i kërkon atij të mos largohet.
Ky është ndryshimi mes nesh.