Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me kryeministrin Edi Rama kanë diskutuar për “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit”.
Takimi nisi rreth një orë më parë, menjëherë pasi kryeministri Edi Rama mbërriti në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Në takimin me dyer të mbyllura mes Osmanit dhe Ramës ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.
“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Është e paqartë nëse Rama do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, i cili u largua nga zyra e tij gjatë momentit që kreu i qeverisë shqiptare ndodhej në takim me Osmanin.
Mëngjesin e sotëm Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Shkup, nga ku iu përgjigj refuzimit të Kurtit duke thënë se “as hasmit nuk i mbyllet dera”.
Megjithatë mbetet për t’u parë nëse dy krerët e qeverive do të takohen sot, pasi sipas agjendës, Rama do të qëndrojë në Prishtinë dhe ditën e nesërme do të niset drejt Bosnjes dhe Hercegovinës.