Kryeministri Edi Rama mbërrin në Prishtinë, në aeroport asnjë zyrtar i lartë (FOTO)

6 July 2023, 16:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama mbërrin në Prishtinë, në aeroport
Kryeministri Edi Rama në aeroportin e Prishtinës

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pak çaste më parë në aeroportin e Prishtinës, në Kosovë, ku është pritur nga ambasadori i Shqipërisë aty Qemal Minxhozi dhe Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.

Rama do të pritet në takim në orën 16:00 nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me të cilën do të zhvillojë takim dypalësh. Pas Osmanit, Rama do të takohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërsa në pritje të konfirmimit mbetet ende takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Rama ka ndërmarrë një “tur ballkanik” në pesë shtete, në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë e ngjashme me “Ballkanin e Hapur”, që vetë Rama e shpalli si “të vdekur” disa ditë më parë.

Pas Prishtinës, Rama do të vijojë takimet e nivelit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, më pas në Malin e Zi dhe destinacioni përmbyllës do të jetë Beogradi.

Për përplasjen e Ramës me Kurtin, opinioni publik është i ndarë. Vetë kryeministri Rama deklaroi sot se “dera nuk i mbyllet as hasmit”, ndërsa që në mëngjes firmosi 13 marrëveshjet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë, duke plotësuar kështu një nga kushtet e Albin Kurtit, i cili ishte shprehur se nuk do e takonte kreun e qeverisë shqiptare, pa u mbledhur më parë qeveritë e dy vendeve.


Video