
Ka përfunduar numërimi për votën preferenciale në Qarkun e Tiranës.
Olta Xhaçka ka mundur të marrë mandatin e deputetit për Partinë Socialiste duke lënë jashtë parlamentit Blerina Gjylametin.
Xhaçka ka arritur të marrë 6213 vota kundrejt 6085 që ka marrë Gjylameti.
Në përfundim të numërimit Xhaçka ka bërë një prononcim për mediat, ku është shprehur se Partia Socialiste është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë, teksa shtoi se kjo fitore do të përkthehet në punë më të madhe.
Përfundimi i numërimit të votave është shoqëruar me një përqafim mes Xhaçkës dhe Gjylametit.
Por kjo e fundit i është drejtuar zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me një kërkesë për të vënë në dispozicion pamjet filmike të numërimit të votave në Tiranë.
Por jo vetëm Gjylameti i ka bërë kërkesë KQZ-së. Janë mbi 15 kandidatë nga forca të ndryshme politike i janë drejtuar KQZ-së me një kërkesë për pamjet filmike të numërimit të votave preferenciale.
Mes kandidatëve që kanë bërë kërkesë janë edhe Etilda Gjonaj, Frrok Gjini dhe Xhemal Qefalia nga rradhët e Partisë Socialiste.
Nga Partia Demokratike kërkesë kanë bërë deputetët Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.
Kërkesat për pamje filmike të numërimit të votës preferenciale vijnë pas pretendimeve të kandidatëve për deputetë se vota për ta është keqlexuar ose manipuluar.