Opinioni komisionit të Venecias tregoi se deputetët duhet të kishin votuar pro dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.
Vox News disponon dokumentin e plotë të komsionit të Venecias, i cili në pikën 57 të konkluzioneve thotë shprehimisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në parimin e besnikërisë ndaj kushtetutës së Republikës, e cila nuk mund të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare, pasi është kërkesë themelore për shtetin e së drejtës.
“Kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën duke kufizuar pushtetin vendimmarrës të Kuvendit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim në përputhje me vendimin e Gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar siç përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese.” – thuhet në vendim duke shtuar se në përgjithësi Kuvendi nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që hyjnë në kompetencat e tij.
Gjithashtu Komisioni i Venecias nënvizon faktin se përcaktimi i një papajtueshmërie me mandatin e një deputeti bëhet në nivel kushtetues.
Sa i takon pyetjes së kryetares së Kuvendit nëse parimisht Gjykata Kushtetuese mundet apo jo të krijojë norma të reja kushtetuese, Venecia shprehet se fuqia për të krijuar norma të reja kushtetuese i përket pushtetit legjislativ, ndërsa fuqia për të interpretuar në mënyrë autoritative një normë ekzistuese kushtetuese i përket Gjykatës Kushtetuese, e cila merr parasysh parimet e përgjithshme kushtetuese, siç është qasja në drejtësi, kur interpreton dispozitat specifike kushtetuese.
Megjithatë, kufiri i saktë midis interpretimit të një norme ekzistuese kushtetuese dhe krijimit të një norme të re kushtetuese nuk është i qartë.