Kodi i ri Penal, Manja: Përafrohet me standardet e BE-së, kemi depenalizuar disa sjellje që...

25 Korrik 2025, 17:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se Kodi i ri Penal i prezantuar ditën e sotme, ka për qëllim ta përafrojë shtetin e së drejtës me konventat, direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.
 
Sipas Manjas, ky Kod i ri Penal është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me angazhimin e ekspertëve.
 
Reagimi i Manjas:
 
Një Kod Penal modern për Shqipërinë! 
 
Prezantimi i draftit përfundimtar të Kodit të Ri Penal, përpara aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë, universiteteve, shoqërisë civile dhe mediave, shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend. Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. 
 
Kodi i Ri Penal është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional, ku janë angazhuar ekspertët më të mirë të së drejtës penale. Ai synon përafrimin me konventat, direktivat dhe standardet e BE dhe ato ndërkombëtare, rekomandimet e institucioneve kryesore të drejtësisë, si dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave. 
 
Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi. Me këtë Kod të Ri Penal, i përgjigjemi sfidave të reja sociale, ekonomike dhe teknologjike me një qasje moderne: duke depenalizuar sjelljet që nuk përbëjnë më rrezik shoqëror dhe duke kriminalizuar veprime që cenojnë jetën, sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve. 
 
Ky nuk është thjesht një ndryshim ligjor. Kodi i Ri Penal është një akt garancie për të ardhmen evropiane të Shqipërisë — një legjislacion bashkëkohor, i drejtë dhe funksional për një shoqëri demokratike në zhvillim. 
 
Drafti i Kodit të Ri Penal mund të aksesohet në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, në linkun: 
  
DRAFTI I PLOTË: https://www.drejtesia.gov.al/drafti-i-kodit-te-ri-penal/


Video