Jo vetëm Berisha, edhe Lapaj njofton datën e protestës së radhës: Para Kryeministrisë, për dorëheqjen e Ramës

10 Janar 2026, 19:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga nje proteste e “Shqipëria Bëhet”

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka njoftuar protestën e radhës.

Protesta do të mbahet të shtunën më 17 janar në orën 18:00 para Kryeministrisë.

Ai nënvizon se kjo protestë është kundër pushtetit të korruptuar, qeverisë kriminale duke theksuar që gjithashtu kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

“Të shtunën, datë 17 Janar, ora 18.00 protestojmë masivisht te Kryeministria!

Kundër hajdutërisë;

Kundër pushtetit që edhe kur përmbytemi nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore;

Kundër largimit nga atdheu;

Për dorëheqjen e Edi Ramës!”, njofton Lapaj në rrjetet sociale.

Ndërsa, Partia Demokratike vendosi sot se do të mbajë më datë 24 janar protestë kombëtare. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë.

Në një prononcim për mediat, Sali Berisha u shpreh se mesazhi i opozitës është vetëm një:

“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Mesazhi ynë për narkoshtetin është ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund, largimin e kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se nuk do të marrë pushtet me dhunë.

“Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë, e ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konsenguent në këtë linjë ai e ka provuar. Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të”, tha Berisha.

Ai u shpreh se do të kërkohet dorëheqja e qeverisë.

“Shqipëria nuk do më t’i shohë me sy këta njerëz. Shqiptarët duan largimin e tyre”, tha Berisha.


Video