Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u emërua nga Kryeministri Edi Rama si zëvendëskryeministre pas shkarkimit të Arben Ahmetajt.
Lëvizjet brenda kabinetit nga ana e Ramës siç duket nuk janë pëlqyer nga Ilir Meta, që në fjalën e mbajtur në Konventën e LSI-së sulmoi ministren Balluku për kostot e tenderave të rrugëve.
“Një rrugë kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi. Shqipëria është kampione e korrupsionit në rajonin tonë edhe më gjerë”, deklaroi Meta.
Edi Rama e shkarkoi Arben Ahmetajn pak orë pasi Ilir Meta doli nga Presidenca. Shkarkimi i ish-zëvendëskryeministrit paralajmërohej prej muajsh, por Rama nuk e ka firmosur nga dyshimet se Ilir Meta nuk do ta dekretonte.
Ahmetaj është akuzuar se ka bashkëpunuar në hije me Ilir Metën dhe LSI-në dhe dyshohet se është njeriu që ka furnizuar me dokumentacione Monika Kryemadhin për çështjen e inceneratorëve.