Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Fatmir Mediut për gjykim të zakonshëm me procedurë normale.
Seanca e radhës do të mbahet më 22 Shtator.
Pas marrjes së vendimit, avokati i familjes Duraj, Dorian Matlija ka thënë se është e drejta e mbrojtjes që të përdoren të gjitha instrumentat ligjorë në gjykatë teksa ka shtuar se jo të gjithë ata që janë akuzuar kanë qenë të fajshëm.
Dorian Matlija: Është e drejta e mbrojtjes të përdoret çdolloj instrumenti. Jo të gjithë ata që u akuzuan kanë qenë të fajshëm. Roli kyç të zbërthehet roli që ka pasur ministri i Mbrojtjes.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Fatmir Mediut, Ardian Visha, nuk ka preferuar që të japë detaje në lidhje me procesin.
Ardian Visha: Asnjë gjë të rëndësishme, nuk kam koment për të bërë. I kemi të shkruara arsyet pse i thërrasim. Nuk jam fallxhor të di sa do të zgjasë ky proces.
Avokatët e Mediut kanë kërkuar edhe që të thirren si dëshmitarë në gjyq 90 persona, shtetas shqiptarë e të huaj. Mes dëshmitarëve që mbrojtja e Mediut ka kërkuar të thirrjen, janë ish.zv/Sekretari i Mbrojtjes në DASH, ish-ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, së Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, katër gjeneralë të NATO, përfaqesues të SAC, si edhe ish-ministrat Pandeli Majko, Besnik Mustafaj, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Mimi Kodheli dhe ish-shefi i SHISH Bahri Shaqiri.