Frikë nga protestat? Shtyhet prezantimi i raporteve të PS dhe PD për Reformën Territoriale që shkrin disa Bashki

21 July 2026, 20:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Frikë nga protestat? Shtyhet prezantimi i raporteve të PS dhe PD

Të enjten, më 23 korrik, ishte lajmëruar të mbahej seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, me rend dite edhe prezantimin e raporteve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Territoriale.

Por në rendin e ditës së enjte publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë për seancën e 23 korrikut, nuk është përfshirë raporti për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, ndërsa afati i funksionimit i përfundoi në 15 korrik.

Të enjten paradite mblidhet Konferenca e Kryetarëve ku pritet të diskutohet për kalendarin e punës për periudhën 27-31 korrik dhe nëse do të ketë një tjetër seancë plenare ku do të përfshihet në rend dite edhe raporti për Reformën Territoriale, përveç ratifikimi i një marrëveshje në fushën e mbrojtjes.

Shtyrja e publikimit të raportit duket se vjen pas protestave që kanë nisur në disa qytete, pas publikimit të lajmeve për shkrirjen e disa Bashkive.

PS është deklaruar se prezantimi i raportit do të bëhet në 23 korrik, ku përveç analizës për reformën territoriale të 2014, PS do të bëjë propozimin e saj për ndarjen e territorit në bashki.

Të mërkurën pritet që PD të dorëzojë në kuvend vetëm një analizë për reformën territoriale të 2014-ës, por jo një propozim për hartën e re territoriale.

Asnjë prej raporteve nuk u prezantua në komision dhe për rrjedhojë as nuk u votuan.

E enjtja e 23 korrikut do të përcaktojë nëse raporti për Reformën Territoriale do të futet në rend dite në minutën e fundit, apo do të ketë një seancë tjetër parlamentare.

Rregullorja e kuvendit parashikon që raporti për Reformën Territoriale fillimisht do të duhet të kalojë në komision dhe më pas në seancë plenare.


Video