Fatmir Xhafaj: Pretendimet për kontroll të SPAK, janë spekulime

28 May 2026, 19:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fatmir Xhafaj: Pretendimet për kontroll të SPAK, janë spekulime

Socialistët dhe demokratët ujdisën në rregulloren e re që drejtuesi i SPAK të bëjë raportimin vjetor jo më në sallë të Kuvendit dhe para 140 deputetëve, por vetëm në dy komisione parlamentare, njëri prej të cilëve është ai që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.

Për këtë ndryshim kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e institucioneve ku përfshihen edhe të drejtësisë, deklaroi se qëllimi nuk është të cënohet pavarësia, por një e drejtë e parlamentit për të ushtruar kontroll për mirëfunksionimin e e tyre, ku përfshihet edhe SPAK.

Opozita që në legjislaturën e shkuar e bojkotoi të ashtuquajturin komisioni “Xhafaj” rreshtoi kërkesat e saj.

Në tryezën ku Fatmir Xhafaj qartësoi qëllimin e parlamentit për të forcuar kontrollin ndaj qeverisë dhe institucioneve të pavarura, përfshirë ato të drejtësisë, ambasadori i Hollandës në Tiranë tregoi kushtet që çojnë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

"Suksesi i integrimit në BE do të matet nga forca e institucioneve demokratike, besimi që qytetarët kanë tek ato dhe aftësia e këtyre institucioneve për t’i shërbyer interesit publik në mënyrë transparente. Parlamenti duhet të ushtrojë një kontroll të vërtetë".

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e legjislacionit. Nuk është thjesht një ushtrim teknik për përkthimin e direktivave në ligjin shqiptar.

Sfida e vërtetë është kultura institucionale. Bashkimi Europian, në fund të fundit, ndërtohet mbi besimin: besimin që institucionet funksionojnë në mënyrë të pavarur, besimin që pushteti mban përgjegjësi, besimin që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë, dhe besimin që qytetarët kanë një zë kuptimplotë në jetën publike.

Kriteri i parë për anëtarësimin është te keni një parlament të mirë. Mbikëqyrja parlamentare nuk është një pengesë për qeverisje efektive. Përkundrazi e përmirëson qeverisjen”, tha ambasadori Reinout Vos.


Video