Deputetja e PD-së depoziton në Kuvend projekligjin, kërkon ndryshime tek ligji për të dënuarit politikë

2 November 2022, 19:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputetja e PD-së depoziton në Kuvend projekligjin, kërkon
Greta Bardeli

Deputetja e PD-së Greta Bardeli ka depozituar në Kuvend një projektligj ku kërkon disa ndryshime në ligjin  “PËR DËMSHPËRBLIMIN E ISH TË DËNUARVE POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST”.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Bardeli përmes një postimi në rrjetet sociale. Deputetja demokrate propozon që të gjithë ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist dhe përfaqësuesve të tyre të cilët kanë humbur afatin ligjor të mundësisë së paraqitjes së aplikimeve të dosjeve të tyre, t'ju ofrohet një mundësi e dytë.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miqtë e mi, përmes këtij mesazhi njoftoj nismën time ligjore si deputete: Për Projektligjin

Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.9831, Dt. 12.11.2007 “PËR DËMSHPËRBLIMIN E ISH TË DËNUARVE POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST”, TË NDRYSHUAR”

Qëllimi i Projektaktit

Ky Projektligj i propozuar vjen si domosdoshmëri e ofrimit të një mundësie të dytë për të gjithë kategorinë ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist dhe përfaqësuesve të tyre të cilët kanë humbur afatin ligjor të mundësisë së paraqitjes së aplikimeve të dosjeve të tyre.

Referuar formulimit të ligjit aktual, ky qëllim mund të arrihet në dy mënyra:

(i) duke zgjatur periudhën maksimale për pranimin e aplikimeve fillestare (duke përcaktuar si afat final tashmë datën 31.12.2023, nga data 31.12.2017 që figuron aktualisht në ligj),
(ii) duke zgjatur afatin maksimal për plotësimin e dosjes, nga afati 3-vjeçar pas datës së njoftimit/publikimit të parë, në një afat 10-vjeçar nga çasti i njoftimit/publikimit të parë.

Çështja e dëshmpërblimeve të ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist, vazhdon të përbëjë shqetësim në opinionin publik shqiptar. Ndonëse në media here pas here pasqyrohen lajmërimet se do shpërndahen këstet e radhes për ish-të përndjekurit politikë, shqetësues është fakti se një pjesë e madhe e dosjeve të dëmshpërblimit u ka kaluar afati për përftimin nga fondet e vëna në dispozicion.

Kjo sepse, kuadri ligjor aktual në fuqi, i pengon personat e prekur apo trashëgimtarët e tyre që të aplikojnë sërish pas kalimit të afatit.

Aktualisht ekziston një numër relativisht i konsiderueshëm rastesh të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist, të cilët, për arsye të ndryshme objektive, nuk kanë mundur të aplikojnë për të marrë dëmshpërblimin që u takon sipas ligjit.

Me miratimin e nismës, pra projektligji të propozuar, gjykoj se krijohet edhe njëherë mundësia që ata persona të prekur që nuk kanë patur mundësi të aplikonin brenda afateve ligjore në fuqi, t’u ofrohet edhe një mundësi tjetër për të paraqitur kërkesat e tyre për dëmshpërblim!

Propozimi është i depozituar tashmë në parlament
Faleminderit


Video