Brukseli për Zvërnecin: Kemi ngritur shqetësime te qeveria shqiptare

9 Qershor 2026, 18:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Komisioni Evropian ka konfirmuar se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me projektin e diskutuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ndërsa i ka kërkuar Shqipërisë të shmangë çdo veprim që mund të rrezikojë përmbushjen e standardeve për mbylljen e Kapitullit 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.

Gjatë konferencës së përditshme për mediat në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështjet e Zgjerimit, Guillaume Mercier, tha se institucioni evropian ka shprehur tashmë shqetësimet e tij pranë Ministrisë së Mjedisit.

“Lidhur me këtë çështje, ajo që mund të them është se Komisioni po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, deklaroi Mercier.

Sipas tij, ministri i Mjedisit ka garantuar Komisionin se punimet janë pezulluar dhe se për projektin do të realizohet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis në konsultim me shoqërinë civile.

“Ministri është angazhuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për projektin do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis”, tha ai.

Mercier kujtoi gjithashtu se shqetësimet e Brukselit nuk janë të reja dhe janë përfshirë edhe në raportet e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Kjo është përmendur tashmë në Raportin tonë të Zgjerimit, ku thuhet se zgjatja e përsëritur e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime për ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”, u shpreh ai.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, zëdhënësi i Komisionit theksoi se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me acquis të Bashkimit Evropian dhe të shfuqizojë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike.

Ai kujtoi se një nga kushtet për mbylljen e Kapitullit 27 është demonstrimi i kapaciteteve për mbrojtjen dhe menaxhimin e zonave Natura 2000.

I pyetur nëse Shqipëria mund të mbyllë Kapitullin 27 nëse projekti vazhdon në formën aktuale, Mercier shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por përsëriti mesazhin e Brukselit.

“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të minojnë përmbushjen e standardeve përmbyllëse dhe ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë”, deklaroi ai.

Komisioni Evropian theksoi gjithashtu se pret që procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në konsultim me publikun dhe shoqërinë civile.


Video