Boçi: Është matematikë e Edi Ramës që opozitës t’i mungojnë 8 zëra në Parlament

8 February 2023, 12:05Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Boçi: Është matematikë e Edi Ramës që

Pas debateve në mbledhjen e Komisionit të Etikës, nënkryetari i PD-së Luciano Boçi u shpreh në një deklaratë për mediat se Kryeministri Edi Rama kërkon të fikë zërin e qytetarëve.

Kërkesën e PS-së për përjashtimin e 8 deputetëve demokratë, Boçi e quan një maskaradë politike dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Boçi deklaroi se kërkesa për përjashtimin e deputetëve duhet të shqyrtohej brenda 48 orëve.

“Skandali i ka plasur, në 10 vite Rama ka shkaktuar terror politik dhe kërkon që në Parlament të fikë zërin e qytetarëve. Do që ky zë të mos transmetohet me pretendimin se mbledhjet janë të mbyllura ndërkohë që mbledhjet e hapura janë të parashikuara në nenin e Rregullores. Kemi kërkuar të zbatohet rregullorja te Komisioni i Etikës, kërkesa duhet të shqyrtohet brenda 24 orëve, e ka neni 65 fraksion 2. Çdo gjë është jashtë procedure dhe jashtë afatave. Me urdhër të Ramës, të gjitha bëhen me urdhëra politike nëpërmjet telefonit. Afati 10 ditor përjashton deputetët nga 2 seanca, është matematikë e Edi Ramës që opozitës t’i mungojnë 8 zëra në Parlament”-tha Boçi.

Ai tha se përjashtimi në masë i deputetëve të PD-së është një ngjarje që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe se protesta para Kuvendit do të zhvillohet pikërisht për këtë arsye.

“Kemi përjashtime në masë të deputetëve si ngjarje e jashtëzakonshme. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.  Nuk e kemi bllokuar foltoren, kemi kërkuar marrjen e fjalës, e drejta e cila na është mohuar. Do vazhdojmë të ushtrojmë të drejtën tonë si deputetë të zgjedhur nga 640 mijë votues. Do bëhet protesta sepse ne kemi kërkuar një seancë pyetjesh sot, seancë që na është refuzuar nga këta që po bëjnë gjyqin politik. Pavarësisht javës së gjelbërt, Kryeministri duhet të paraqitet. Është trembur përsëri, ka lëshuar këto zarët e tij për të bllokuar seancën dhe ja ku jemi vazhdimisht me telefonatat e urdhrat që jep. Ka frikë i ziu të përballet me të vërtetën dhe atë që i ka plasur në dorë”-përfundoi nënkryetari i PD-së.


Video