Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar datën e protestës së radhës së opozitës, teksa u është drejtuar mbështetësve nga dritarja e shtëpisë së tij ku ndodhet nën arrest shtëpie për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Berisha ka thënë se protesta e radhës do të mbahet në datën 20 shkurt, në Tiranë. Ai u kërkoi militantëve demokratë që të përdorin “mosbindjen civile” si rrugë e vetme për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Të dashur miq, ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile.
Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën anti-tirani, në ditën anti-Edvin, në ditën kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve.
20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës.
Demokrate e demokratë, simbolet e krimit, simbolet e monizmit, simbolet e poshtërimit të shqiptarëve janë parlamentit Rama-Linda, kryeministria e Edvin Kristaq Xhelatit, SKAP-i i Altin Dumanit, Surreli i Edvin Kristaq Xhelatit.