Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka publikuar një videomesazh në rrjetet sociale, përmes të cilit ngriti akuza kundër kryeministrit Edi Rama për mashtrime mbi rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Kryedemokrati e cilësoi bonusin për pensionistët minimal dhe qesharak.
“Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t’ju bindë ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është që bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj, rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në vitin 2013, ato ishin rrogat më të larta të rajonit. Sot, ai paraqiti si një sukses të madh konventën e diasporës. Me këtë rast duke përshëndetur të gjithë shqiptarët e diasporës, kudo që janë, edhe ata që vijnë në këtë konventë, por u theksoj se mikpritësi juaj është një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar, të ekzistencës së tij, jo në dekada, por dhe më shumë”, tha Berisha.
Mes të tjerash, kryedemokrati fajësoi qeverinë për emigrimin masiv, duke iu referuar të dhënave të Eurostat. Ai gjithashtu vuri në dyshim edhe shifrat për investimet e huaja dhe deklaroi se ekonomia ndodhet në rënie, me tkurrje të prodhimit dhe eksporteve.
“Kështu që, edhe në këtë rast duhet të shtoj, prodhimi industrial është në recesion, prodhimi bujqësor është në recesion, eksportet kanë rënie dramatike. Ekonomia, rritja me të cilin rreh gjoksin Edi Rama, është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogëtarëve në borderot e shtetit”, shtoi më tej lideri demokrat.
Më herët kryeministri Edi Rama foli në podkastin e tij, mbi skemën e rritjes së përvitshme të pensioneve, kryeministri sqaroi se po krijohet një mënyrë e re kursimi për pensionin, që do të funksionojë shtesë mbi sistemin aktual të pensioneve.
Ideja është që çdo punonjës mund të zgjedhë të kursejë një shumë të vogël nga paga e tij. Për këtë shumë, edhe shteti ose punëdhënësi do të shtojë po aq para. Pra, kontributi dyfishohet.
Këto para do të grumbullohen me kalimin e kohës dhe do t’i shtohen pensionit që merret nga sistemi ekzistues.