Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi pretendon se SPAK do t'i komunikonte akuzën ministres së Infrastukturës Belinda Balluku, por kjo sipas tij nuk ka ndodhur pasi ajo u largua në një vizitë jashtë shtetit.
Sipas Bardhit, mund ta shtyjë, por jo ta shmangë "burgun".
Reagimi i Bardhit:
Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat:
– Si të zhdukësh 50 milion € si në tunelin e Llogarasë;
– Si të vjedhësh 180 milion € në shit-blerje energjie;
– Si të vjedhësh 5 milion € në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe
– Si të avullosh 80 milion € me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë.
Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpëra se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK!
