Deputeti Gazment Bardhi ka deklaruar sot pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat që zgjati më shumë se katër orë se Sali Berisha ka kërcënuar kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajn.
Sipas Bardhit, Aliebeaj është shantazhuar vetëm pse ai mendon ndryshe nga ish-kryeministri.
Sipas Bardhit, Berisha dhe mbështetësit e tij po e ecin përpara në një proces të njëanshëm dhe se po e çojnë PD drejt përçarjes përfundimtare
"Alibeaj është kryetar i Grupit Parlamentar të PD. Ka patur sot një shantazh kërcënim dhe sulm të parapërgatitur nga Berisha dhe një pjesë kolegëve ndaj tij, vetëm pse mendon ndryshe nga z. Berisha. Këtë e kam thënë edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar që vijon ende. Shumica dërrmuese e anëtarëve të Grupit Parlamentar kanë ngritur si problem ecjen përpara në një proces të njëanshëm që po çon në përçarjen përfundimtare të PD. Ky ka qenë qëndrimi i shumicës dërrmuese të anëtarëve. Ecja përpara me procese të njëanshme, bashkim që thuhet me fjalë, por veprohet ndryshe, nuk shkohet përpara", u shpreh ai.
Mësohet se Bardhi, gjatë mbledhjes së grupit, i ka thënë ish-kryeministrit Berisha se ata që janë shpallur ‘Non Grata’ duhet të largohen nga politika.
Sipas tij, politika e Berishës se “kush mendon ndryshe nga ai është mbështetës i Ramës”, është e gabuar që çon në përçarje të partisë.
“Së pari, sot iu kthyen traditës së vjetër e të shëmtuar të shpifjeve, baltës, kërcënimit dhe shantazhit ndaj Kryetarit të Grupit, se mendon ndryshe nga Z. Berisha. Flasim për bashkim dhe sulmojmë këdo mendon ndryshe. Flasim për bashkim dhe kush mendon ndryshe i thuhet je peng i Edi Ramës. Se kush është peng i Edi Ramës, se kush bën biznes me Edi Ramën, se kush ka fshehur lekët tek biznese të afërt të Edi Ramës, jam i gatshëm ta bëj transparencën tani.
Shqiptarët presin nga ne një përgjigje të qartë për aksionin opozitar, për t’ua kthyer atyre votën e lirë, pa të cilën nuk mund të ketë mirëqenie, nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të ketë integrim.
Unë kam mendimin tim, i qëndroj parimeve të mija, dhe standardeve që ka vendosur kjo parti. Për mua personat e shpallet non grata duhet të tërhiqen nga politika. Nëse nuk tërhiqen, ndodh kjo që pamë këto dy ditë. SHBA pranon që Edi Rama ka ble vota me krimin e organizuar, selia e partisë më zë madhe të opozitës, hesht, nuk thotë asnjë fjalë.
Së dyti, sot pashë një shqetësim nga disa kolegë, dhe z. Berisha, pse është ankimuar vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri. Kjo është rrugë institucionale, është rrugë normale. Kujtoj që në 25 Mars z. Berisha na tha në zyrë se vendimet e gjykatave duhen respektuar, sot thotë pse ke ankimuar vendimin se gjykatat janë të Edi Ramës. Pra kur vendos në favor të Z. Berisha, gjykatat janë të mira, nëse rrezikon të bëjë drejtësi, ato janë të Edi Ramës. Kjo është qesharake.
Së treti, mbështes qëndrimin e shumicës së deputetëve se vijimi me një proces që quhet si riorganizim i partisë, në mënyrë të njëanshme, me kokëfortësi, kjo sjell përçarje. Mesa kuptoj qëllimi është pikërisht ky, të përçahet partia, të bëhet një parti më e vogël, të përdoret për interesat e një personi. Ky nuk është interesi i demokratëve dhe i PD”, tha Bardhi në mbledhje.