Apeli ia dha vulën Berishës, Ambasada e SHBA: Pozicioni ynë lidhur me non gratat s’ka ndryshuar!

14 Qershor 2024, 12:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto: Ambasada e SHBA në Tiranë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën e Partisë Demokratike, Sali Berishës.

Në një prononcim për mediet, Ambasada Amerikane shprehet se pozicioni i tyre me individët e shpallur non grata nuk ka ndryshuar dhe se nuk angazhohen me këta persona.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, deklaron Ambasada.

Kujtojmë se më 11 qershor 2024, Gjykata e Apelit vendosi që t’i japë ish-kryeministrit Sali Berisha vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të mos pranojë ankimimin e firmosur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, duke lënë në fuqi një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri të shkallës së parë.

Video