Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me deklaratën e shpërndarë pak më parë nga grupit parlamentar i Partisë Demokratike, në lidhje me anulimin e seancës plenare.
Në deklaratën e PD vendimi për anulimin konsiderohej një vendim personal i kryeparlamentares Spiropali, duke e quajtur edhe një akt antikushtetues.
Sipas reagimit të Spiropalit të shpërndarë nga zyra e shtypit, thuhet se një deklaratë e tillë nga PD vjen në vazhdën e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Reagimi:
Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.
Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional.